Aksioni antidrogë 'Lozana', dështon seanca ndaj ish-prokurorit Metush Biraj i akuzuar për ryshfet

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ish prokurorit Metush Biraj, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe të akuzuarve Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për dhënie ryshfeti, ka dështuar të mbahet sot më 26.07.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Gjyqtari i kësaj çështje penale, Lutfi Shala njoftoi se seanca e shqyrtimit fillestar nuk mund të mbahet për shkak që në seancë mungon prokurori i shtetit.

“Gjykata njofton palët se sot nuk kemi kushte për të vazhduar në këtë shqyrtim fillestar, në mungesë të Prokurorisë Speciale”- tha gjyqtari Lutfi Shala.

Aktakuza ndaj këtij rasti është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizeren, Departamenti i Krimeve të Rënda, për shkak që kishte të bëj me një ish-prokuror të atij regjioni. Prokoria e Prizerenit këtë çështje për gjykim e ka deleguar në Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Ndërsa, Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan ka deleguar këtë çeshtje në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës. Edhe Gjykata e Apelit ka vendosur që ky rast të trajtohet nga Departamenti Special.

Në mungesë të prokurorit kjo seancë u caktua për datë tjetër.

Çka thotë aktakuza?

Prokuroria Themelore në Gjilan më datë 04.03.2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish prokurorit Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj në cilësi të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Prizrenit, në mes të muajit prill dhe korrik të vitit 2023, ka pranuar ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20,000 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ish-prokurori Biraj e ka pranuar ofertën me kushtin që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në një rast për narkotikë ndaj të akuzuarve Naim  Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Salihu.

Për këtë rast KALLXO.com në vitin 2017 kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive kishin shpërfaqur kamuflimin e sasisë së narkotikëve të llojit marihuanë në brendi të dyerve nga druri.

Tutje sipas aktakuzës të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve.

Ish-prokurori Biraj ishte tërhequr nga rasti për narkotikë në fjalët përfundimtare më 31.03.2023.

Ish-Prokurori Biraj, sipas aktakuzës ngarkohet me veprën penale “Marrje Ryshfeti”, kurse të akuzuarit Shkodran  Pulaj  dhe Naim Osmani akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.

Shënim: Më 26.07.2024, në ora 14:37 artikulli është redaktuar.