Forcat e FNSH - Foto ilustruese: Policia e Shtetit

Aksion policor në disa shtete, pesë shqiptarë në pranga, dyshohen për krim të organizuar

Policia e Shtetit ka njoftuar se pesë shqiptar janë arrestuar nën dyshimin se të njëjtit kanë marrë pjesë në organizata kriminale.

Lek Colaj, 40 vjeçari shqiptar u arrestua në Rumani, Gjergj Lesaj 38 vjeç u arrestua në Holandë, Sokol Aliko Mehmetaj, 36 vjeç u arrestua në Spanjë, Robert Varga 44 vjeç u arrestua në Hungari ndërsa Altin Velsula 36 vjeç i cili gjendej në Norvegji sipas Policisë së Shtetit iu kumtua masa e sigurisë arrest në burg.

Policia e Shtetit gjithashtu ka njoftuar se operacioni policor është zhvilluar mes Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera, si Italia, Rumania, Holanda, Spanja dhe Hungaria.

“Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në lidhje me këtë operacion është deklaruar edhe Ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri, Sandër Lleshaj.

“Finalizimi i suksesshëm sot i Operacionit ‘LOS BLANCOS’ në 10 vende nën koordinimin e EUROPOL, në të cilin mori pjesë aktive edhe Policia e Shtetit, është një tjetër sukses i rëndësishëm, që provon edhe një herë pjekurinë dhe besueshmërinë e lartë të saj në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.

Sipas Lleshajt, shkatërrimi i një grupi shumë të sofistikuar kriminal të përbërë kryesisht nga shqipfolës dhe kapja e një sasie të madhe kokaine dhe parash është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar.

“Meritojnë mirënjohje të gjitha agjencitë e vendeve që u angazhuan në këtë operacion si Italia ??, Holanda, Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Dubai dhe pa dyshim edhe Policia e Shtetit Shqiptar. Ky operacion dëshmon edhe një herë nevojën  e madhe, por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.