Aksion para KPK-së ndaj prokurores Kasaloviq lidhur me rastin e vrasjes se Lirije Qerimit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, bashkë me aktiviste kanë organizuar sot para Këshillit Prokurorial në Prishtinë një aksion lidhur me vendimin që prokurores  Stojanka Kasaloviq t’i shqiptohet vetëm vërejtje publike me shkrim, në lidhje me vrasjen e Lirije Qerimit nga burri i saj, Skënder Qerimi, në Llaushë të Skenderajt.

“Me 1 janar, Lirije Qerimaj e raporton në polici dhunën nga bashkëshorti dhe kërkon udhër-mbrojtje. Përkundër kësaj kërkese, prokurorja e rastit, Stojanka Kasaloviq e lë të lirë Skënder Qerimajn, duke ia mundësuar vrasjen e Lirijes”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në organizimin e sotëm u tha se mosndëshkueshmëria e saj  jep sinjal që “shteti vazhdon të mos i shoh e dëgjojë vajzat e gratë, duke dërguar deri në pasoja si vrasja e tyre”.

Prokurorja Kasaloviq ka bërë marrëveshje me KPK për rastin disiplinor ku ajo liroi  në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e gruas në Llaushë.

51-vjeçari Skënder Qerimi, më 6 janar të këtij viti, dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Lirije Qerimi në Llaushë të Skenderajt, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar 2022, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në Polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skënder Qerimi.

Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila ishte Stojanka Kasaloviq.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima Lirije Qerimi më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Skënder Qerimit për dhunë në familje.

Disa muaj pasi që KALLXO.com shpërfaqi mënyrën se si prokurorja Stojanka Kasaloviq liroi në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e gruas në Llaushë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ndaj të njëjtës ka shqiptuar masë disiplinore.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar marrëveshjen vullnetare me të cilën KPK-ja prokurores Kasaloviq i ka shqiptuar masën disiplinore vërejtje publike me shkrim.

Sipas vendimit, prokurorja Kasaloviq ka bërë lëshimin e veprimeve procedurale për rastin e dhunës në familje i cili rast kishte përfunduar me fatalitet pasi viktima Lirije Qerimi dyshohet se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj Skënder Qerimi.

Raportimin e KALLXO.com për këtë vendim të KPK e gjeni në këtë LINK.