Aksion në tregun e automjeteve, gjobiten shitësit që po therrnin shpendë

Drejtoria e Inspekcionit në kryeqytet sot gjatë ditës ka zhvilluar një aksion që kishte për qëllim inspektimin e Tregut të Automjeteve.

Sipas njoftimit, janë larguar shitësit dhe ata që po therrnin ilegalisht dhe në kushte absolutisht të papërshtatshme shpendë të ndryshme.

Të njëjtit përveç që janë gjobitur, thuhet se janë detyruar që edhe të pastrojnë hapsirat e tregut të cilat po shfrytëzoheshin për therrje si dhe për hedhjen e mbetjeve të shpendëve të therrura.

“Drejtoria e Inspekcionit, duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tonë sikur edhe të ambientit në Komunën e Prishtinës njofton se gjatë ditëve në vijim, në bashkëpunim edhe me organet tjera kompetente, do të organizojë aksione akoma më të mëdha si dhe do të ndërmarrë veprime edhe më të ashpra të parapara me ligj për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve tonë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspekcionit.