Aksion në disa qytete të Kosovës, konfiskohen 16 kg drogë e pajisje të kriptovalutave dhe arrestohen disa persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se njesitë e antidrogës sot kanë arrestuar disa persona dhe janë konfiskuar rreth 16 kilogramë drogë e dëshmi të tjera.

Policia ka njoftuar se në vazhdën e hetimit të rastit të koduar me emrin “Bardhoshi” kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar.

Sipas Policisë, i dyshuari A.K. fillimisht në fshatin Bresalc i ishte shmangur arrestimit pas kërkeses së Policisë për të hapur bagazhin e veturës “Audi A6” dhe më pas personi i njëjtë është arritur të arrestohet në komunën e Graçanicës, pasi që i njëjti ishte i implikuar në veprën penale të sanksionuar nga neni 267 i kodit penal të RKS-së, së bashku me të dyshuarin e dytë, me iniciale F.M. tanimë i arrestuar në vendin e ngjarjes në fshatin Bresalc të Gjilanit.  

Dy personat e lartcekur dyshohen se kanë bërë transportimin e substancës narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë operacionit policor nga njësia e krim teknikës rajonale të Gjilanit janë konfiskuar si prova relevante 15 kg e 324.4 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, vetura “Audi A6”, vetura “VW-Jetta”, 1 telefon celular, 170 euro.

Të dyshuarit pas intervistimit  me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet edhe më tej.

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacione policore të antidrogës janë zhvilluar edhe në Prizren, Pejë, përderisa në Gjilan pas hetimeve disa ditore në koordinim me organet e drejtësisë gjatë realizimit të një bastisjeje dhe kontrollit të një shtëpie janë gjetur 33 aparate për prodhimin e kriptovalutave (pajisje elektronike) dhe me rastin është marrë Dogana e Kosovës.