Foto: Policia e Kosovës

Aksion kundër drogës në Prizren, arrestohen dy të dyshuar dhe konfiskohen 800 gramë heroinë

Një operacion anti-drogë në Prizren ka rezultuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e 800 gramëve heroinë.

Aksioni u zhvillua nga Drejtoria e Policisë së Kosovës për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve në Prizren.

Pas marrjes së informacioneve se disa të dyshuar janë përfshirë në trafikim me lëndë narkotike, Policia ka siguruar urdhër-kontrollin në banesën dhe objektet e të dyshuarve.

Gjatë kontrollit, Policia arriti të konfiskojë 805.5 gramë heroinë dhe 1.1 gram marihuanë.

“Sot, më 16.11.2022 në ora 06:10, në fshatin Shpenadi të Prizrenit, ka filluar kontrolli dhe gjatë realizimit të tij janë gjetur dhe sekuestruar: 805.5 gr substancë dyshohet të jetë heroinë, 1.1 gr. marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tutje ka bërë të ditur se të dyshuarit, 43-vjeçari A.D. dhe 24-vjeçari  V.D. janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.