Foto ilustruese nga bastisjet e policise Foto: KALLXO.com

Aksion i Policisë, Prokurorisë Speciale, ATK-së dhe Doganës së Kosovës, sekuestrohen aparate të lojërave të fatit

Policia e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës që nga dita e djeshme kanë filluar një aksion për sekuestrimin e aparateve të lojërave të fatit.

Sipas një njoftimi për media, aksioni ka filluar për rastet e mëhershme, të lidhura që nga viti 2019. Ndërsa këto aparate kanë qenë nën mbikëqyrjen e ATK-së dhe Doganës.

“Nga data 06.01.2021 lidhur me rastet e mëhershme, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, së bashku me Doganën e Kosovës dhe ATK-në, nën udhëheqjen e prokurorisë speciale ka filluar zbatimin e urdhëresës së gjykatës për sekuestrimin e automateve për lojërat e fatit të cilat janë nën mbikëqyrje të ATK-së dhe Doganës se Kosovës,  në depot doganore të bizneseve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë, në bazë të urdhrit të Gjykatës, të gjitha aparatet e lojërave të fatit pas sekuestrimit vendosen nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Kujtojmë që një aksion i gjerë ishte zhvilluar në shtator të vitit të kaluar në fshatin Karaçevë të Kamenicës kundër lokaleve që ushtronin veprimtari të lojërave të fatit.

Aksioni ishte zhvilluar pas një hulumtimi disamujor të emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, në të cilin tregonte për rrjetin e kazinove në Karaçevë, si dhe kontrabandës me kafshë nga Serbia.

Ky aktivitet pasoi me arrestimet, ku pati të përfshirë edhe disa pjestarë të Policisë.