Një armë "Kallashnikov" - Foto: Ilustrim

Aksion i Policisë në Prishtinë, arrestime e armë të konfiskuara

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në rajonin e Prishtinës mbrëmjen e kaluar.

Gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar në katër lokacione të ndryshme.

Tek të njëjtit kanë konfiskuar armë pa leje, 3 pistoleta dhe 25 fishekë, një kallashnikov me 48 fishekë, një boks të hekurit dhe një mjet të mprehtë.

Me vendim të prokurorit, 3 të dyshuar janë liruar dhe rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt ndërsa i dyshuari tek cili është gjetur kallashkovi, është dërguar në mbajtje.

Gjatë kontrollit të Policisë në rrugën “Ali Kelmendi” në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari pasi është gjetur dhe konfiskuar arma-pistoletë me një karikator me dy fishekë.

Në një lokacion tjetër në Prishtinë, në Lagjen Arbëria, është arrestuar i dyshuari, pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij, i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë. 

Në fshatin Poklek të Ri, në Drenas, i dyshuari është arrestuar pasi që gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë dhe një boks hekuri. 

Kurse gjatë kontrollit të rrugën “Dervish Qollaku” në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar të dyshuarin, pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij, i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 15 fishekë, një AK-47 me 48 fishekë.