Foto: PK

Aksion i Policisë në Mitrovicë, konfiskohen 67 aparate për prodhim të kriptovalutave

67 aparate të cilat prodhojnë kriptovaluta janë konfiskuar gjatë një aksioni i cili është zhvilluar në orët e pasdites nga ana e hetuesve rajonalë në Mitrovicën e Jugut.

Policia ka njoftuar se pas hetimeve të ndërmarra është identifikuar një lokacion në një banesë në rrugën “Fan Noli” në Mitrovicën e jugut dhe janë gjetur e konfiskuar 67 aparate të prodhimit të kriptovalutave.

Për pajisjet e gjetura dhe  veprimtarinë e  kundërligjshme hetuesit policorë kanë identifikuar personin e dyshuar.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

I njëjti ka sugjeruar që pajisjet e sekuestruara të merren nga autoritetet doganore.

Në anën tjetër Policia nuk ka dhënë detaje se cilat masa janë ndërmarrë ndaj personit të dyshuar të cilit iu gjetën në banesë 67 pajisjet për prodhim të kriptovalutave.