Ilustrim

Aksion i Policisë kundër trafikimit me njerëz, bastisten 43 lokale dhe gjendet vetëm një armë

Tetë lokale janë mbyllur nga inspektorët pasi Policia e Kosovës të premten mori një aksion të gjerë kundër trafikimit me njerëz.

Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar 43 lokale dhe ka gjetur vetëm një armë zjarri.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) ka intensifikuar aktivitetet e saj në terren me qëllim të marrjes së masave parandaluese dhe në  identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit me njerëz”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas PK, kjo drejtori, njësitet tjera të specializuara ato për reagim të shpejtë dhe Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve të punës, atyre të ATK-së dhe inspektorëve komunal, si dhe njësive tjera të profilizuara, stacioneve policore në kuadër të Policisë së Kosovës kanë zbatuar Planin Operativ të koduar me emrin “Dhjetori 2021” i cili plan është realizuar njëkohësisht në disa rajone të Republikës së Kosovës.

Burimi: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në mënyrë profesionale, luftimin e dukurive negative dhe veprave penale të të gjitha llojeve, në mënyrë që të mundësohet një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në 12 vjet.