Mariuhanë e konfiskuar në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë. Foto: Policia e Kosovës

Aksion i Policisë, 5 persona kapen me rreth 60 kg drogë - PAMJE

Pas operacionit në veri të Mitrovicës, ku u arrestuan katër persona dhe u shkatërruar një laborator i drogës, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona të tjerë të dyshuar dhe ka konfiskuar 56 kilogramë marihuanë gjatë një operacioni që është kryer në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit në bashkëveprim trafikonin narkotikë nga Shqipëria në Kosovë dhe pastaj narkotikët e trafikuar i destinonin jashtë Kosovës.

Përpos marihuanës së konfiskuar, policia ka thënë se në cilësinë e provave materiale ka konfiskuar dhe tri vetura të tipit Mercedes, ku dy nga këto vetura ishin me targa të Shqipërisë dhe një me targa vendore, shtatë telefona celularë, 10 mijë e 507 euro dhe disa monedha Lekë të Shqipërisë e Dinarë të Serbisë.

Për katër nga të dyshuarit, policia ka njoftuar se iu është caktuar masa e ndalimit, ndërsa për të dyshuarin e pestë është vlerësuar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Në njoftimin e policisë është shpjeguar se si është zhvilluar ky aksion.

Sipas Policisë, si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari i parë S.B, i cili dyshohet se është transporteri.

Ai thuhet se drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës.

Tutje në Pikën Kufitare në Vërmicë, Policia e Kosovës ka identifikuar të dyshuarin e dytë B.R, i cili ka hyrë në këtë pikë kufitare me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes.

Ai thuhet se ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës së Jugut ku e priste personi i tretë i dyshuar, N.M, me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë, më saktë në garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë.

Më pas, si vazhdimësi e kontrollit dhe bastisjes së automjeteve janë arrestuar edhe personi i katërt dhe i pestë, të dy me inicialet A.M.

Kujtojmë se një operacion i tillë është kryer gjatë ditës së djeshme edhe në Zveçan ku Policia ka arrestuar katër persona dhe ka konfiskuar një sasi e madhe të kanabisit në vlerë një milion euro.

Mariuhanë e konfiskuar në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë. Foto: Policia e Kosovës
Mariuhanë e konfiskuar në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë. Foto: Policia e Kosovës
Mariuhanë e fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës. Foto: Polica e Kosovës

VIDEO: Në laboratorin në Zveçan u kap sasi bimësh narkotike në vlerë 1 milion euro