Aksidentohet i akuzuari, shtyhet seanca në rastin "Feronikeli"

Seanca ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Bujës i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi dështoi të mbahet.

Kjo për shkak se Halit Gashi, njëri nga të akuzuarit në këtë rast ishte aksidentuar rrugës për në gjykatë.

Këtë e konfirmoi avokati Arianit Koci mbrojtës i të akuzuarit Shukri Buja, për KALLXO.com dhe Ekrem Agushi , mbrojtës i të akuzuarit Nebih Zeqiri.

Avokati Koci, tha se seanca e radhës u caktua më 26 qershor.

Kujtojmë se seanca e parë në këtë çështje penale pasi lënda është kthyer në rigjykim ishte caktuar më 7 prill por e njëjta ishte anuluar për shkak të gjendjes së pandemisë.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte gjetur fajtor.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve: Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit: Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejën urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEËCoFeronikelComplex LL. C.”

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEWCoFeronikelComplex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEWCoFeronikelComplex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.