Aksidentohen tri vetura në rrugën Mitrovicë-Prishtinë - dy të lënduar

Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti, që ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, më 13.01.2025.

Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00.

“Aksident trafiku me lëndime, i shkaktuar sot rreth orës 12:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, segmenti rrugor në Vushtrri. Në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa lëndime kanë pësuar dy persona.” – tha ai për KALLXO.com.

Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, Arbër Demiri ka thënë për KALLXO.com se e kanë pranuar vetëm një të lënduar nga ky aksident në Spitalin e tyre.

“Me parametra vitalë është stabil, mirëpo kur e kemi bërë një CD ka dalë që ka një frakturë te procesi spinoz. Do të thotë në qafë. Pas CD-së, tash ky udhëzohet ma tepër në Ortopedi.” – ka thënë Demiri.