Aksidentohen tri vetura në magjistralen Gjilan - Ferizaj

Një person ka mbetur i lënduar rëndë dhe dy të tjerë kanë marr lëndime të lehta nga një aksident që ka ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Gjilan-Ferizaj.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, nënkoloneli i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Shaban Azizi.

“Me datën 17.11.2019 rreth orës 14:55 minuta në rrugën magjistrale Gjilan-Ferizaj, saktësisht ne fshatin Ramjan, komuna e Vitisë, ka ndodhur aksident rrugor me lëndime, ku te përfshira kanë qenë tri vetura: “Mercedes”, “Peugeot”, “Skoda””, ka thënë ai.

Azizi ka shtuar se aksidenti ka ndodhur për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Deri te aksidenti dyshohet te ketë ardhur si pasojë e mos përshtatjes se shpejtësisë kushteve te rrugës dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, ku me këtë rast, vetura “Mercedes” përplaset me veturën “Peugeot”, e me pas me veturën “Skoda”, të cilat në momentin kritik lëviznin në drejtim të kundërt me të”, thuhet në përgjigjen e tij.

“Si pasojë e këtij aksidenti, lëndime të rënda trupore pëson drejtuesi i veturës “Mercedes”, kurse drejtuesi i veturës “Peugeot” dhe pasagjerja e veturës “Skoda” marrin lëndime te lehta trupore, ku për momentin drejtuesi i veturës “Skoda” ndalet ne repartin e ortopedisë në spitalin e Gjilanit për tretman te mëtutjeshëm mjekësor”, ka shtuar oficeri i Policisë.

Ditë më parë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e aksidenteve në trafik, që nga mbarimi i luftës (1999-2019), në Kosovë kanë vdekur 2.523 persona.