Aksidentohen tri automjete në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, lëndohet një person

Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë të martën, më 14.01.2025.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se janë informuar për aksidentin rreth orës 16:00 dhe se në të kanë qenë të përfshira tri automjete.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë e aksidentit është lënduar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.” – ka njoftuar Ahmeti.

Sipas Ahmetit nuk dihet ende nëse të lënduarit i është dhënë ndihma në vendngjarje, apo e kanë dërguar për trajtim mjekësor.