Aksidentohen me vetura, pastaj dalin jashtë dhe përleshën mes vete

Një aksident trafiku ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Fushë Kosovës ku të përfshirë kanë qenë tre persona.

Sipas Policisë së Kosovës, tre të dyshuarit, pas aksidentit janë përleshur mes vete.

“Janë arrestuar tre të dyshuar pasi të njëjtit pas një aksidenti trafiku që kishin pasur, janë përleshur fizikisht në mes veti”, ka thënë Policia.

Tutje është thënë se të dyshuarit si pasojë e rrahjes kanë pësuar lëndime trupore për çka dhe u është ofruar tretmani mjekësor.

Gjithmonë duke iu referuar raportit të Policisë, gjatë kontrollit në veturën e njërit nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike dhe një OC-sprej.

Policia po ashtu ka treguar se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe se rasti vazhdon në procedurë të rregullt.