Autoambulanca e aksidentuar e QKMF-së në Mitrovicë

Aksidentimi i autoambulancës së QKMF-së në Mitrovicë shpërfaqi se automjeti nuk kishte sigurim

Sheremet Osmani – një qytetar nga Vushtrria, ishte aksidentuar në maj të vitit 2024. Makina e tij ishte goditur nga një autoambulancë, e cila është në pronësi të Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, fajtor për aksidentin ka qenë shoferi i autoambulancës, që ka hyrë në të kuqen në semafor.

Por kur qytetari Sheremet Osmani ishte paraqitur te kompania e sigurimeve për të vlerësuar dëmin dhe për të marrë kompensimin, kishte kuptuar se autoambulanca e QKMF-së në Mitrovicë, nuk ishte siguruar.

KALLXO.com ka zbuluar se komuna e kishte paguar policën e sigurimit dhe kishte kontratë të nënshkruar me kompaninë e sigurimeve “Pri-sig”, por autoambulanca nuk kishte sigurim të automjetit.

Sipas Osmanit, aksidenti kishte ndodhur në Vushtrri, në semaforat te rruga e njohur si “rruga e Studimes”, me 14.05.2024.

“Unë jam kanë duke pritë në semafor, më është hapur semafori drita e gjelbër, jam nisë – më ka ardhë ndihma e shpejtë me një shpejtësi shumë të madhe edhe kemi bë aksident. Lëndime trupore ka pasur pak, lëndime materiale ka pasë më shumë. Vetura është dëmtuar goxha shumë” – ka thënë qytetari nga Vushtrria.

Tutje, ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kishte dalë Policia e Kosovës, e cila kishte konstatuar se fajtore për aksidentin ka qenë autoambulanca e QKMF-së së Mitrovicës.

“Po ka ardhë Policia edhe fajtori ka qenë ndihma e shpejtë normal sepse u hi në të kuqen, e ka dhezë alarmin po me vonesë e ka dhez, edhe nuk e ka pasur rastin urgjent, ka pasur një të sëmurë me qu në psikiatri në Prishtinë. Ka ardhë me një shpejtësi diku 100 kilometra në orë dhe na ka rrokë aty. Edhe normal që është dashtë me hi me një kujdes, e jo me një shpejtësi aq të madhe në semafora”.

Tutje, Sheremet Osmani pasi që ka shkuar te kompania e sigurimeve për të vlerësuar dëmin dhe marrë kompensimin, ka kuptuar se autoambulanca e QKMF-së në Mitrovicë, nuk kishte policë të sigurimit.

“Kur sigurimi jem i ka marrë dokumentet e fotografitë dhe ka dashtë me bo vlerësimin e dëmit, ka shku te kompania, te kompania që na ka aksidentuar edhe e ka vërtetu që kam..domethënë ndihma e shpejtë nuk ka pasur sigurim. Domethënë sigurimi i ndihmës së shpejtë është anuluar qysh në ditën kur është regjistruar” – ka thënë Osmani.

Të dhënat tregojnë se kontrata në mes të Komunës së Mitrovicës dhe kompanisë “Pri-sig” është nënshkruar me datë 6 maj 2022 dhe vlera e kontratës është 45 mijë euro, për 36 muaj.

Titulli i kontratës është “Ofrimi i shërbimeve për sigurim dhe kontrollimi teknik të automjeteve”. Në kontratën e nënshkruar përfshihet edhe, ndër të tjerë, vetura e llojit “Peugeot Boxer”, tipi “transporter”.

Komuna, sipas kontratës, e kishte paguar sigurimin e makinës dhe me këtë sigurim makina ishte regjistruar në qendrën e regjistrimit. Por dikush brenda kompanisë kishte kryer një procedurë të anulimit të policës.

As QKMF-ja e Mitrovicës, e as Komuna e Mitrovicës nuk kanë qenë të njoftuar se autoambulanca që është aksidentuar, nuk ka policë të sigurimit, ndonëse paratë ishin paguar.

Çështja e anulimit të policave të sigurimit në Kosovë rregullohet përmes një Udhëzimi të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës, si institucion mbikëqyrës, i datës 29.04.2016.

Në nenin 4 të këtij Udhëzimi thuhet se polica e sigurimit mund të anulohet në rast të gabimeve teknike, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me të dhënat për pronarin e automjetit, të dhënat teknike për pronarin e automjetit, periudha e sigurimit e të tjera.

Në këtë udhëzim thuhet se anulimi i policës së sigurimit nga ana e agjentit mund të bëhet në afat prej 24 orëve nga lëshimi i policës, ndërsa pas këtij afati anulimin mund ta bëjë vetëm kompania.

Por në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com polica është paguar me 14.09.2023, ndërsa agjenti e anuloi atë 17 ditë më vonë, me 02.10.2023.

Në kompaninë “Pri-sig” nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, mirëpo në një përgjigje me shkrim kanë thënë se anulimi ishte bërë për shkak të një gabimi teknik.

Polica e sigurimit për të cilën e keni fjalën është anuluar për shkak të një gabimi teknik. Polica në fjalë është në fuqi dhe Kompania e Sigurimit e merr përgjegjësinë lidhur me dëmin. Këto janë gabime teknike që mund të ndodhin përgjatë punës së përditshme. Në secilin rast është ligji që e siguron policmbajtësin për kompenzimin e dëmit të shkaktuar” – kanë thënë nga kompania “Prisig” për KALLXO.com.