Aksidenti me tren në Klinë, arrestohet makinisti, kolegët e tij nesër nuk i drejtojnë trenat

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos, ka njoftuar se nesër nga ora 05:00 do të bëhet ndalimi i qarkullimit të të gjithë trenave në Republikën e Kosovës (trenat e mallrave dhe trenat e udhëtarëve).

Ky vendim është marrë mas arrestimit të makinistit të trenit të relacionit Pejë – Prishtinë gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës

“Sot me datën 18.09.2019 në ora 19:30 minuta, është mbajtur takimi i Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale, dhe merret vendimi i lartcekur, si pasojë e arrestimit/ndalimit të kolegut tonë, makinistit të trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë) të datës 17.09.2019 nga Policia e Kosovës në mënyrë të padrejtë”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Sindikatës.

Sipas tyre me arrestimin e makinistit nuk është respektuar Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës si dhe Rregulloret dhe Udhëzimet e tjera administrative.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.

“Qarkullimi i trenave do të fillojë me lirimin e kolegut tonë nga Policia e Kosovës”, përfundon njoftimi.

Gjatë ditës së djeshme në Klinë ka vdekur një e mitur si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditja e trenit.

E mitura në Klinë goditet nga treni, dyshohet se ka vdekur