Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Aksidenti me katër të vdekur, gjykata vendos për të dyshuarin

Gjykata e Ferizajt, ka njoftuar se ndaj shkaktarit të aksidentit me inicialet E.M., është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, duke aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt.

Dy ditë më parë në magjistralen Ferizaj-Shtime pas një aksidenti rrugor humbën jetën 4 anëtarë të një familjeje.

Aksidenti, sipas Gjykatës, dyshohet të ketë ndodhur për shkak se shoferi nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, me ç’rast ka kaluar në shiritin e majtë rrugor duke dalë në anën tjetër të rrugës dhe duke goditur veturën në të cilën gjendeshin 4 anëtarët e familjes që humbën jetën.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim.

Gjithashtu gjykata ka bërë të ditur se i dyshuari nuk i ka respektuar rregullat e komunikacionit, ka tejkaluat në vijë të plotë dhe ka kaluar në shiritin e majtë rrugor, dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë e cila ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime me pasoja vdekje drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Tutje gjykata ka njoftuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, përfundon njoftimin e saj gjykata e Ferizajt.