Prokuroria Themelore në Ferizaj

Aksidenti me fatalitet në Ferizaj, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit R.M.

Kjo pasi i arrestuari dyshohet për kryerje të veprës penale – rrezikimi i trafikut publik;  dhe – mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.

Në dosjen e Prokurorisë është thënë se ekziston dyshimi i bazuar se më 07.08.2024 në 17:00h, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, i dyshuari duke drejtuar automjetin e tipit “Opel Corsa” në drejtim të rrugës magjistrale, kur ka arritur në afërsi të hyrjes për në lagjen “Iliria” i njëjti nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim, në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet.

Në po të njëjtën kohë viktima Z.T., e cila është shtetase e Shqipërisë, ka qenë duke trupuar rrugën në vendkalimin për këmbësorë nga hyrja e lagjes ”Iliria” për në anën tjetër të rrugës.

I dyshuari është thënë se në atë çast ka goditur viktimën me automjet, si rezultat i së cilit fillimisht viktima është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe nga aty më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Z.T. gjatë kohës sa ka qenë duke u trajtuar në QKUK ka vdekur.

Prokuroria tha se po ashtu për të pandehurin ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si ngasës i automjetit nuk i ka ofruar ndihmë personit të lënduar duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe duke e lënë viktimën pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar numrat e emergjencës.

Në njoftim u shtua se i pandehuri me vendim të prokurorit që nga data 07.08.2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekura.

Aksident trafiku në Ferizaj, vdes këmbësorja