Fotografi nga aksidenti i datës 11.07.2024 në të cilin vdiq punëtori Rizah Hasani, Foto: KALLXO.com
Aksidenti me fatalitet, Inspektoriati i Punës gjobit kompaninë 'Bageri'
Vdekja e një punëtori të kompanisë “Bageri” ka bërë që Inspektorati i Punës të hetoj rastin ndonëse hetimi kishte nisur në bazë të një kërkese të avokatit të familjes Hasani, Isuf Zejna.
Kjo pasi që kompania nuk kishte njoftuar Inspektoratin ashtu siç edhe parashihet me ligj e rregullore, ndërsa kjo çështje vuri në pah edhe disa shkelje që kompania dyshohet se i kishte bërë në raport me punëtorin e tyre që vdiq më 11.07.2024 deri sa po bartte material ndërtimor rrugor për një aks rrugor që po rregullohej në Jezerc, Komuna e Ferizajt.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dokumentin në të cilin kompania “Bageri” është dënuar me 8 mijë e 500 euro nga Inspektorati i Punës në lidhje me shkeljen e disa dispozitave ligjore në lidhje me ngjarjen tragjike që kishte ndodhur më 11 korrik 2024.
Rizah Hasani ishte punëtor i kompanisë “Bageri” dhe në ditën kritike ai po bartte asfalt për aksin rrugor që po ndërtohej në Jezerc.
Në një rrëfim për KALLXO.com, vëllai i Rizahut, Valon Hasani ngriti dyshimet e tij në lidhje me aksidentin ndërsa tha se Inspektorati i Punës nuk ishte njoftuar nga vetë kompania, për këtë arsye çështjen te ta e kishte ngritur vetë duke kërkuar hetim.
Edhe vetë Inspektorati ka konstatuar se në lidhje me aksidentin në të cilin vdiq Rizah Hasani, pronari i kompanisë “Bageri” me pronar Bujar Shabanin nuk e kishte njoftuar Inspektoratin e Punës, ndonëse kjo çështje është e obligueshme në bazë të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Vendimi që ka siguruar KALLXO.com tregon se Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjobë prej 8 mijë e 500 eurove për shkeljen e pesë dispozitave ligjore në bazë të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Fillimisht me 3 mijë euro gjobë është dënuar kompania “Bageri” pasi që e njëjta nuk ka njoftuar Inspektoratin për aksidentin që ka ndodhur me pasojë vdekjen e punëtorit Rizah Hasani.
Me 1 mijë euro është dënuar “Bageri” për shkak se nuk kishte zbatuar masat e parandalimit të aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale ose konkretisht hetimi ka gjetur se kompania nuk kishte prezantuar dhe nuk posedon certifikatën shëndetësore për punëtorin e tyre që u aksidentua në korrik.
Një tjetër shkelje për të cilën është gjobitur “Bageri” me gjobë 2 mijë euro është edhe se kompania nuk kishte prezantuar dhe nuk posedonte trajnimin e të punësuarit të tyre nga siguria dhe shëndeti në punë.
Me 2 mijë euro të tjera është gjobitur kompania për shkak se të njëjtit nuk kishin prezantuar dokumentin e hartimit të vlerësimit të rrezikut për vendet e punës dhe në fund me 500 euro është dënuar për shkak se kompania nuk ka prezantuar dëshmi që kanë përgjegjës për siguri dhe shëndet në punë.
Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Valdrin Shabanin, djalin e pronarit të kompanisë “Bageri” Bujar Shabanit.
Ai përmes telefonit ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë vendim deri më tani, ndërsa tha se nuk ka njohuri në lidhje me aksidentin që ka ndodhur në korrik të këtij viti.
“Asnjë vendim, asnjë letër unë nuk e kam ende. Te unë nuk ka ardhë kurrgjë hala. Ndoshta me postë deri të vjen. Nuk e di atë punë më fal”- tha Valdrin Shabani për KALLXO.com.
Punëtori i kompanisë po bartte asfalt në ditën kur u aksidentua me kamion
Më 11.07.2024, Rizah Hasani ishte duke punuar në aksin rrugor në të cilin po zhvilloheshin punimet për asfaltimin e një rruge për Jezerc. Me kamion ai po bartte asfalt ndërsa në një moment derisa po ngjitej në një kthesë, ai humbet kontrollin dhe rrotullohet rreth 60 metra jashtë rrugës.
Aty nuk arrin t`u bëjë ballë lëndimeve dhe vdes ndërsa në vendin e ngjarjes shkojnë edhe Policia e Kosovës. Në raportin policor të datës 12.07.2024, rasti ishte raportuar si aksident trafiku me fatalitet.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke drejtuar automjetin transportues ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur në humnerë. Si pasojë, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor”- thuhet në raportin policor të datës 12.07.2024.
Në lidhje me situatën që kishte ndodhur në atë kohë, KALLXO.com kishte tentuar të marrë një përgjigje edhe kompanisë “Bageri”, por që të njëjtit nuk kishin kthyer përgjigje ekipit të KALLXO.com.
Në anën tjetër në një përgjigje për KALLXO.com, prokurori i rastit Besnik Nuredini ka thënë se tashmë ka autorizuar disa ekspertiza për të zbardhur aksidentin që ndodhi në të cilin vdiq punëtori Rizah Hasani.
“Rrjedhimisht, ju garantojmë se hetimi është i sigurt dhe i hollësishëm dhe se është duke u zhvilluar në mënyrë të plotë dhe të pavarur. Të gjitha procedurat po ndiqen në përputhje me standardet ligjore dhe ne jemi të angazhuar për të mbrojtur integritetin dhe transparencën e hetimit dhe për të siguruar që çdo detaj të analizohet dhe shqyrtohet me seriozitetin që meriton”- ka thënë prokurori Nuredini për KALLXO.com.
KALLXO.com ka raportuar edhe në të kaluarën për kompaninë “Bageri”.
Kjo kompani ka fituar disa herë kontrata nga Ministria e Infrastrukturës, gjatë periudhave të ndryshme.
Në #KallxoPernime, zëvendësministri Durmishi tha se pronarin e kompanisë “Bageri”, Bujar Shabanin, e ka shok dhe asnjëherë nuk ka punuar në kompaninë e tij.
Në lidhje me këtë, i kontaktuar nga KALLXO.com, Valdrin Shabani, djali i pronarit të kompanisë, përmes telefonit kishte thënë se Durmishi asnjëherë nuk është paguar nga kompania. Sipas tij, Durmishi vetëm ka ‘dhënë ndonjë këshillë’.
“Jo, asnjëherë nuk është paguar. Ai vetëm ka qenë shok i babit (Bujar Shabani), ka ardhë ka nejt për qejf najher e kështu. Ka dhanë ndonjë këshillë në menaxhim e këso, se kështu nuk ka pas asnjëherë asgjë. Kafe ka ardhë ka pi e këso senesh”, ka thënë Shabani përmes telefonit për KALLXO.com.
Tutje, Valdrin Shabani tha se kompania ‘Bageri’ prej që është në pozitën e zëvendësministrit Hysen Durmishi, e ka fituar vetëm një aneks-kontratë, e cila sipas tij është për rrugën për në Brezovicë.