Aksidenti me 5 të vdekur në Ferizaj, rasti kalon në Prokurorinë e Prizrenit

Rasti i vdekjes së pesë anëtarëve të një familje në Ferizaj në një aksident me fatalitet për të cilin akuzohet Erton Musliu, tash e tutje do të trajtohet nga ana e Prokurorisë së Prizrenit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti – Sejrani.

“Në bazë të vendimit të zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Prokuroria Themelore në Prizren  – Departamenti për Krime të Rënda është ngarkuar me kompetencë lëndore që ta trajtojë lëndën penale ndaj të pandehurit E.M për shkak të kryerjes së veprës penale rrezikimi i trafikut publik”, shtoi ajo.

Më 6 qershor 2021, në fshatin Koshare të Ferizajt kishte ndodhur një aksident nga ku humbën jetën fillimisht 4 persona mirëpo edhe e aksidentuara e 5 ndërroi jetë 10 ditë më vonë nga lëndimet e marra.

Të pesë personat e vdekur në këtë aksident ishin anëtarë të një familje.

Lidhur me këtë rast, nga gjyqtari i procedurës paraprake, me 7 qershor 2021, Erton Musliut i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një  muaji për shkak se i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, me fatalitet.

Mirëpo masa e paraburgimit nga Gjykata e Ferizajt i është kthyer në arrest shtëpiak.

Për të kundërshtuar lirimin në arrest shtëpiak të të akuzuarit, u mbajt një protestë ku kërkohej drejtësi për viktimat e aksidentit.

Më 29 shtator 2021, Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj Erton Musliut se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, me pasojë vdekjen.

Erton Musliu, sipas Prokurorisë, më 6 qershor, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt, i akuzuari duke drejtuar automjetin “Audi A8”, me dashje eventuale e ka shkelur ligjin për rregullat e trafikut rrugor, dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, ka tejkaluar në vijë të plotë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kaluar në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e ka goditur automjetin e tipit “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë, veturë kjo që ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, dhe në këtë aksident në vendin e ngjarjes kanë vdekur katër persona ndërsa personi i pestë ka vdekur disa ditë më vonë në QKUK në Prishtinë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me datë 5 tetor 2021, Musliu ishte deklaruar i pafajshëm.