Autobusi i aksidentuar në Vlorë, 23 maj 2022 Foto: Kompania Turistike Dita/ Facebook
Aksidenti i autobusit me turistë kosovarë në Vlorë, flet pronari i kompanisë
Një autobus i kompanisë “Dita” me turistë nga Kosova është aksidentuar sot në Vlorë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Autobusi, i cili ishte nisur të sjellë turistët kosovarë nga qyteti bregdetar shqiptar në Kosovë, është aksidentuar në një pemë tek “Uji i ftohtë” në Vlorë.
Autobusi ka pësuar vetëm një gërvishtje në pjesën e sipërme nga një degë peme e zgjatur mbi rrugë, lartësia e së cilës ishe me e vogël se 4 metra.
Hajdar Dili, pronar i kompanisë “Dita” ka thënë për KALLXO.com se askush nuk është lënduar, dhe përveç gërvishtjes nga pema që ka pësuar autobusi nuk ka dëme tjera.
Sipas tij, autobusi e ka pasur të pamundur të devijojë pemën, pasi në shiritin e kundër të rrugës lëvizte një kamion.
“Falë zotit, pasagjerët nuk janë të lënduar, nuk kanë pësuar asnjë gërvishtje, incidenti ka qenë më shumë incident për shkak të pakujdesisë së Komunës së Vlorës, pasi pema ka qenë mbi rrugë nën 4 metra, dhe jo siç kërkohet me Ligjin për transportin. Autobusi duke pasur përballë një kamion nuk ka mundur ta devijojë pemën dhe është gërvishtur me pemën. Përveç atij dëmi, nuk ka dëme tjera”, ka thënë Dili.
Ai ka thënë se kompania ka dërguar autobusin tjetër për të sjellë turistët në Kosovë.