Aksidenti i autobusit me maturantë nga Presheva, institucionet vazhdojnë punën për gjetjen e shkaktarit

Rreth 30 persona, disa nga ta edhe maturantë nga Presheva që po ktheheshin nga ekskursioni u aksidentuan të shtunën në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë.

Një pjesë e nxënësve mbetën edhe të lënduar, të njëjtit u dërguan për ndihmë mjekësore e më pas u liruan për në shtëpi.

Në aksident të përfshirë ishin një kamion me targa vendore, një veturë dhe autobusi që po bartte nxënësit.

Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë detaje nëse është gjetur fajtori apo shkaktari i aksidentit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga e cila është thënë se janë duke vazhduar me punë.

“Policia janë duke marrë veprime hetimore në bazë të udhëzimeve nga Prokurori i Shtetit me qëllim të mbledhjes së provave, dhe sipas të gjeturave do të veprohet tutje me këtë çështje” – ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie Laureta Ulaj.

Për ngjarjen që ndodhi të shtunën rreth orës 15:50 është kontaktuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se ky rast është në fazën e hetimeve, grumbullimit të provave dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet e nevojshme.

KALLXO.com ka pyetur PK-në nëse dihet se kush është fajtori që çoi deri në ndodhjen e aksidentit, mirëpo nuk është marr përgjigje konkrete, njëjtë siç nuk është marr as nga ana e Prokurorisë.

Në anën tjetër, në ditën kur ndodhi ngjarja kishte ardhur edhe një reagim nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ai përmes një video të publikuar në Facebook kishte konfirmuar se në autobus kanë qenë disa maturantë të këtij qyteti që ishin duke u kthyer nga ekskursioni.

“Sapo u informuam se gjatë kthimit nga ekskursioni i maturantëve, ka ndodhur një aksident trafiku, ku dëmet janë vetëm materiale. Maturantët dhe të gjithë të tjerët janë mirë” – u shpreh Arifi.

“Komuna së bashku me agjencionin kanë marrë masa të menjëhershme për sigurimin e transportit. Ne do të jemi pranë tyre për çdo gjë që ata kanë nevojë” – shtoi tutje ai.

Për ngjarjen kishte folur edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.

Syla kishte treguar se personat që janë trajtuar në QKUK janë liruar pas trajtimit dhe se ndihmë pranë  qendrës emergjente kishin kërkuar ndihmë 13 persona të lënduar dhe se të gjithë ishin trajtuar.

Rreth 30 persona të lënduar në një aksident trafiku në Vragoli