Aksidentet me trotinetë, po punohet në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor
Kosova ende nuk ka ligj që rregullon përdorimin e trotinetëve elektrikë, por Komisioni për Mjedis bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit po punon në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Kështu ka bërë të ditur sot deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Deputetja ka informuar se grupi punues e ka draftuar një nen të veçantë që rregullon përdorimin e trotinetëve. Shumë shpejt projekligji do të dërgohet në seancë.
“Ashtu siç edhe mjekët po konstatojnë, lëndimet nga trotinetët mund të jenë serioze prandaj prindërit duhet të kujdesen që fëmijët e tyre të mos dalin në rrugë me trotinetë.”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
“19 vjeçar me frakturë të bazës së kafkës dhe lëndime tjera serioze, 7 vjeçare duke lozur me trotinet e goditur nga vetura , 21 vjeçare me lëndime të shumëfishta të ekstremiteteve, 4 vjeçar me lëndim-shqyerje të veshit si pasojë e rrëzimit me trotinet.”, ka njoftuar në Facebook Ibishi, i cili ka shpërndarë njoftimin e kolegut Agushi./21Media