Aksident në rrugën Rahovec - Malishevë, vdes 28 vjeçari

Një 28 vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti i cili ka ndodhur në rrugën Rahovec- Malishevë, saktësisht në fshatin Dragobil.

Komandanti i trafikut në rajonin e Gjakovës, Albin Sahatçija ka thënë për KALLXO.com se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion.

“Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 06:30. Në aksident janë përfshirë një veturë e cila drejtohej nga viktima 28 vjeçar dhe një kamion”, ka thënë Sahatçija.

Sipas komandantit, aksidenti dyshohet të ketë ndodh si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së veturës e cila drejtohej nga 28 vjeçari.

“Drejtuesi i veturës  ka humbur kontrollin dhe është përplasur me kamioni i cili ka qenë duke lëvizur përballë tij”, ka thënë Sahatçija.

Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore për tu marrë me rastin, ndërsa trupi i viktimës me urdhër të prokurorit dhe me kërkesë të familjarëve i është liruar familjes.