Aksident në Qyshk të Pejës, vdes një 23-vjeçar

Policia e Kosovës ka njoftuar se si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në rrugën Pejë- Prishtinë në fshatin Qyshk ka vdekur një person.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 21:25 dhe deri te aksidenti ka ardhur pasi që ngasësi i veturës duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, me të arritur në fshatin Qyshk, del nga rruga dhe ndeshet me një furgon, i cili ishte i parkuar jashtë rruge duke shkaktuar aksident trafiku.

Sipas Policisë, i lënduari është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, dhe sipas ekipit mjekësor viktima (i gjinisë mashkullore, i lindur më 1999) në spital ka arritur pa shenja jete.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës  është dërguar  në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.