Aksident në Pejë, vdes një person

Një person ka humbur jetën mbrëmë në Pejë si pasojë e një aksidenti ndërmjet katër automjeteve.

Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën “Papa Klementi” në Pejë. Një person ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal në Pejë. Ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë Gashi për rtv21.tv.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka njoftuar se shoferi i veturës tjetër është arrestuar.

Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Gjatë aksidentit janë dëmtuar edhe dy automjete të tjera (një autobus dhe një veturë) që ishin të parkuara./21Media