Aksident në Lipjan, vozitësi vdes pasi goditi shtyllën e betonit

Një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident që ka ndodhur në aksin rrugor Rusinovc – Shalë në Komunën e Lipjanit.

Zëdhënësja Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj, i ka thënë KALLXO.com se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15 ndërsa viktima ka pësuar vetaksident.

“Ka ndodhur një vetaksident trafiku, ku nje veturë për shkaqe akoma të pa sqaruara ka humbur kontrollin dhe është perplasë me një shtyllë të betonit. Në këtë aksident është lënduar rëndë një person i cili nuk ka arritë të përballoj plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe ka vdekur”, ka thënë Ahmeti.

Tutje ajo shtoi se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Failjare në Komoran.

Me hetimin e rrethanave se si ka ardh deri te ky aksident po merren njësiti i trafikut.