
Aksident në lagjen Veternik, vdes këmbësori që u godit nga vetura
Një këmbësor i cili është goditur nga një veturë sot në lagjen Veternik ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra.
Zëdhënësja e Policisë për regjionin e Prishtinës, Florie Ahmeti tha për KALLXO.com se fillimisht kishin pranuar informacion rreth orës 14 e 30 për një aksident trafiku me pasoja fatale.
Në aksident kishin qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet.
“Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”- tha Ahmeti.
Ajo shtoi se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Ahmeti thotë se aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi i automjetit është shoqëruar në stacion policor.