Aksident në Batllavë, automjeti del nga rruga, 3 të lënduar

Një aksident ka ndodhur para dy orëve në fshatin Batllavë të Podujevës.

Raportohet se shoferi ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka dalë nga rruga.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti njoftoi se tre persona kanë pësuar lëndime trupore.

“Sot rreth orës 17:00 në fshatin Batllavë ka ndodhë një aksident trafiku. Në aksident ka qenë i përshirë një automjet në lëvizje, i cili për shkaqe akoma të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor”, tha ajo.

Zyrtarja policore bëri të ditur se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.