Aksident mes katër veturave në magjistralen Prishtinë- Pejë, lëndohen 6 persona

Gjashtë persona kanë marrë lëndime të lehta trupore në një aksident që ka ndodhur mes katër veturave në rrugën Prishtinë- Pejë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Sipas Hoxhës, aksidenti ka ndodhur në orën 17:20, afër fshatit Vragoli të Fushë-Kosovës.

“Katër automjete janë të involvuara në aksident, përderisa sipas informatave fillestare gjashtë persona kanë marrë lëndime të lehta dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se dyshimi për shkaktimin e aksidentit ka qenë mosmbajtja e distancës ndërmjet automjeteve.

“Njësiti për menaxhim dhe kontroll të autostradës po merret me rastin dhe procedurat tjera. Kjo rrugë tani është e lire për qarkullim te rrjedhshëm, ndërsa ne apelojmë tek drejtuesit që gjatë drejtimit te automjeteve të jenë më të kujdesshëm, vigjilentë dhe t’u përshtaten kushteve në rrugë në mënyrë që të shmangen aksidente të tilla”, tha Hoxha për KALLXO.com