Aksident me fatalitet në Suharekë, Prokuroria e akuzon për 'Ngasje në gjendje të dehur dhe Posedim të narkotikëve'
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për “Ngasje në gjendje të dehur dhe Posedim të narkotikëve” ndaj një personi të dyshuar i cili kishte shkaktuar një aksident me fatalitet në Suharekë, më 15.08.2024.
Përmes një komunikate për media, prokuroria më 08.11.2024 ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit me inicialet B. Q., i cili gjendet në paraburgim që nga data 15.08.2024.
Sipas prokurorisë, B. Q. dyshohet se më datë 15.08.2024 rreth orës 06:15 në rrugën Suharekë – Prizren, në vendin e quajtur “Ura e Topliqanit” në Suharekë, ka qenë duke e drejtuar veturën “Mercedes”, pa patentë shoferë dhe nën ndikimin e alkoolit, me sasi prej 0.68 promila.
Prokuroria pretendon se derisa ka qenë ashtu në gjendje të dehur duke lëvizur përgjatë rrugës, me të kaluar vendin e quajtur “Ura e Topliqanit”, në kthesën e ashpër në të djathtë nuk e përshtatë shpejtësinë e lëvizjes, humb kontrollin e automjetit dhe kalon në shiritin e kundërt të rrugës, duke e goditur veturën tjetër “Audi 89”, të cilën ishte duke e drejtuar personi me inicialet A. Q., i cili mbetet i vdekur në vendin e ngjarjes. Kurse pasagjeri B. G., që ishte në veturën e të pandehurit pëson lëndime të rënda trupore.
Tutje, prokuroria pretendon se derisa i dyshuari ishte në objektin e emergjencës më 15.08.2024, pasi që merr trajtimin mjekësor, shkon në tualetin e emergjencës dhe aty e hedh një qese plastike me substancë të dyshuar marihuanë, të cilën më pas e gjejnë zyrtarët policorë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Po ashtu prokurori i çështjes, ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit” – thuhet në fund të komunikatës së Prokurorisë Themelore në Prizren.