Aksident me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, vdes një person

Një person i moshës 66-vjeçare ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Kçiq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka bërë të ditur për KALLXO.com se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura.

“Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në orën 13:20, të datës 9 maj 2021, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë segmenti rrugor fsh. Kçiq, ku të përfshira ishin dy vetura civile,  ku si pasojë e aksidentit dhe lëndimeve të pësuara më pas në  QKUK  ka vdekur viktima, Sh.N., 66-vjeçar”, ka thënë ai.

Sipas Zahitit, hetuesit e njësisë së trafikut rajonal, nën udhëheqjen e prokurorit të rastit, janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me aksidentin.

“Me urdhër të prokurorit të rastit trupi i pajetë i viktimës së aksidentit është dërguar për obduksion”, thuhet në përgjigjen e tij.