Aksident i rëndë në rrugën Prishtinë-Pejë, 16 të lënduar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në fshatin Grabanicë të Klinës.

Në këtë aksident janë përfshirë 4 automjete ndërsa janë lënduar 16 persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Në ora 19:06 Policia është njoftuar për aksidentin në magjistralen Pejë – Prishtinë, pikërisht në fshatin Grabanicë. Katër vetura janë përfshirë dhe ndihmë mjekësore deri në këto momente kanë kërkuar 16 persona”, ka thënë Gashi.

Gashi ka njoftuar se në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore.