Aksident i rëndë në Fier-Lushnje, ambulanca del nga rruga, vdes pacienti

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Fier-Lushnje, në afërsi të fshatit Krutje në Shqipëri. Ngjarja ka ndodhur në ora 17:50, ku ka mbetur i vdekur 62-vjeçari N.M nga Ksamili.

Ai ishte nisur me urgjencë nga Saranda drejt Tiranës me hemoragji në stomak. Djali i viktimës që shoqëronte dhe të atin dhe infermierja kanë marrë lëndime të lehta në aksident, ndërsa lëndime më të mëdha ka marrë shoferi i ambulancës që po merr trajtim në spital.

“Si pasojë ka ndërruar jetë pacienti, shtetasi N.M, 62 vjeç, dhe është dëmtuar drejtuesi i ambulancës, shtetasi N.H, 55 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spitalin e Leshnjes nën kujdesin e mjekëve.” – njofton policia.

Aksidenti ka ndodhur pasi ambulanca u përplas me barrierat anësore gjatë parakalimit të një mjeti tjetër. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje./21 Media