Aksident fatal në Vushtrri, vdes 59-vjeçari që po ngiste biçikletën

Një person i moshës 59-vjeçare ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sonte në Vushtrri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për KALLXO.com se në aksident ishin të përfshira një veturë dhe një biciklist ku si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, ka humbur jetën viktima, biçiklisti 59-vjeçar.

Sipas tij, aksidenti ka ndodhur sonte rreth orës 19:40, në rrugën “Lumni Surdulli” në Vushtrri.

“Hetuesit e njësisë së trafikut rajonal nën udhëheqjen e prokurorit të rastit, kanë nisur hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me aksidentin fatal”, ka thënë ai.

Zahiti ka shtuar se me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit shkaktarit të aksidentit, është caktuar masa e ndalimit policor.