KEK

'Aksham Pazar' para zgjedhjeve, KEK hap 133 vende pune

Pak para fillimit të fushatës zyrtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shpallur konkurs për 133 vende pune.

Më 20 shtator është shpallur konkursi për plotësimin e vendeve të punës, Teknik të makinerisë (30 kryerës); Teknik të elektroteknikes (20 kryerës); Manipulues te mekanizmit operativ (35 kryerës), Zjarrfikës (9 kryerës); Manipulues të shiritave transportues (25 kryerës); Inxhinier të makinerisë (3 kryerës); Inxhinier të Elektroteknikes (6 kryerës); Inxhinier i gjeologjisë (2 kryerës); Inxhinier i xehetarisë (2 kryerës) dhe Administrator i zyrës (1 kryerës).

“Bazuar në nenin 8 të Ligjit të Punës, Seksionin V Pikën 3 (c) të Rregullores së KEK-ut Sh.a. dhe nevojave të paraqitura për plotësimin e disa vendeve të lira të punës në Divizionet e KEK-ut, Divizioni i Burimeve Njerëzore, më 20.09.2019 publikon ofertën për pozitat e mëposhtme”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Sipas këtij njoftimi, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për këto pozita deri më 4 tetor, dy ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit.

KEK-u që është treguar dorëlirë në prag të zgjedhjeve me shpalljen e vendeve të lira të punës, udhëhiqet nga Bordi i cili përbëhet nga anëtarë që janë zgjedhur kundërligjshëm.

Njazi Thaçin, kushëririn e presidentit Hashim Thaçi është Drejtor Menaxhues kurse zëvendësdrejtori i saj është njeri i PDK-së.

Bordi i Kundërligjshëm i KEK-ut

Në muajin nëntor të viti 2017, Qeveria e Kosovës kishte emëruar anëtarët e bordit të KEK-ut. Ata janë, Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe Ilir Rama.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se njëri nga të emëruarit kishte qenë pjesë e një partie politike vitin e kaluar. Në këtë bord ka edhe persona që nëpër rrjetet sociale bëjnë fushatë për parti te caktuara.

Izet Ibrahimi ka qenë kandidat për kryetar të Drenasit në vitin 2013, me Iniciativën për Drenasin. E njëjta kishte kaluar në partinë Nisma për Kosovën, e cila aktualisht është në qeveri si pjesë e koalicionit PAN.

Ibrahimi është dorëhequr nga Nisma për Kosovën, në prill të vitit 2016, për shkak të mospajtimeve për koalicionin ndërmjet Nismës dhe AAK-së.

“… duke e konsideruar koalicionin AAK/NISMA si shembje e shpresës së qytetarëve për një opozitë të bashkuar e cila do ta ndryshonte qeverisjen në vend dhe njëkohësisht duke e konsideruar se veprimet pa debat të gjerë me degët dhe nëndegët dhe nga vendimet e nga dy apo tre personave janë të ngutshme dhe i shërbejnë këtij pushteti, NE nuk dëshirojmë që të bëhemi pjesë e këtyre pazareve”, kishte shkruar Ibrahimi në letrën e dorëheqjes.

Tutje në këtë postim thuhet se Ibrahimi ka qenë kryetar i Nismës për Kosovën, dega në Drenas. Emërimi i Ibrahimit në bordin e KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjeve Publike.

Neni 15, pika 4 e Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon se kandidatët duhet të jenë ekspertë, ose së paku adekuatë për pozitën e kërkuar. Kurse neni 17 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Një prej anëtarëve tjerë të zgjedhur si anëtar bordi është edhe Gjelosh Vataj, i cili kishte qenë kryeshef ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Donatorët kishin shprehur pakënaqësi me Bordin e Ujësjellësit i cili në takimin e parë e kishte emëruar Gjelosh Vatajn, për të cilin kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë. Në kohën e Vatajt kishte shumë akuza e kundërakuza për keqmenaxhim.

Vataj ishte shkarkuar nga kjo detyrë për shkak të shkeljeve ligjore që ishin gjetur nga një auditim i brendshëm në këtë ndërmarrje.

“Arsyetimi për shkarkimin e z. Vataj dhe z. Ratkoceri është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e auditimit te brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik të pasqyruara ne raportin e auditimit te brendshëm tek proceset e prokurimit dhe furnizimeve, deklarimin dhe raportimin e pasaktë financiar tek raporti i TM4 përkatësisht pasqyrave financiare”, kishte qenë arsyetimi për shkarkimin e tij nga kjo detyrë në mars të vitit 2016.

KEK, Foto: RTV 21

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një aktgjykimi ka kërkuar që Ish-kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Gjelosh Vataj të kthehet në pozitën që kishte. Gjykata detyron KUR “Prishtinën” t’i paguajë paditësit në emër të kompensimit pagat mujore duke filluar nga data 8.3.2016 deri më 30.4.2017, e që kap shumën e 24.439.87 eurove.

Anëtar tjetër i bordit të ri të KEK-ut është edhe Faruk Hajrizi, i cili më herët ka qenë kryeshef ekzekutiv i KUR “Mitrovica”. Hajziri gjatë punës së tij në krye të KUR Mitrovica mbahet mend për tentimin për të punësuar mikun e familjet, që ishte penguar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka arritur të gjejë fakte që Hajrizi kishte poste nëpër parti politike. Por, Hajrizi në profilin e tij në Facebook i shpërndan fotografitë ku Kadri Veseli cilësohet si “lider i pamposhtur”, si dhe i shpërndan spotet reklamuese të fushatës së kandidates së PDK-së në Mitrovicë, Valdete Idrizi.

Anëtari tjetër i bordit është edhe Mehdi Pllashniku i cili është edhe kryeshef i Agjencisë për Regjistrim të Biznesit, ARBK që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Kushëriri i presidentit Hashim Thaçi në krye të KEK-ut

Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ishte zgjedhur drejtor menaxhues i KEK-ut në muajin tetor të vitit 2018.

Njazi Thaçi ishte punësuar në KEK më 2006, kur ministër i Energjisë dhe Minierave dhe kryetar i Bordit të KEK-ut ishte Ethem Çeku i AAK-së.

Pas katër vjet udhëheqjeje të tenderëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vitin 2011, shefi i Prokurimit, Njazi Thaçi, është avancuar në pozitën e Drejtorit Operativ.

Njazi Thaçi është akuzuar nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Ai akuzohej për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Në janar të vitit 2017, prokurori Paul Flyn është tërhequr nga akuza ndaj të gjithë të pandehurve në rastin gjyqësor ndaj Njazi Thaçit dhe të tjerëve.

Njazi Thaçi, Drejtori i ri Menaxhues në KEK, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emër të tij dhe të bashkëshortes së tij me vlerë 217,400 mijë euro.

Nijazi Thaçi, drejtor i KEK-ut

Thaçi në vitin 2018 ka deklaruar një lokal afarist 78 metra katrorë me vlerë 47,500 euro, banesë 190 metra katrorë me vlerë 133,900 mijë euro, një banesë 55 metra katrorë në emër të bashkëshortes, me vlerë 36 mijë euro dhe një tokë punuese me sipërfaqe 2.5 hektarë, në pronësi të përbashkët, të cilës nuk ia ka deklaruar vlerë.

Ai ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion edhe një veturë ‘Audi A4’ në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 10 mijë euro.

Njazi Thaçi ka deklaruar se posedon para të gatshme me vlerë 19,405 mijë euro në njërën nga bankat dhe 5,133 euro në emër të bashkëshortes, dhe 7700 euro në emër të fëmijëve.

Në formularin e pasurisë, Thaçi ka deklaruar edhe pagën të cilën ai e merr nga KEK-u, me vlerë 26,874 mijë euro dhe 4200 euro të cilat i merr nga qiraja e lokalit të cilin e ka deklaruar që e ka në pronësi.

Njeriu i PDK-së së Kadri Veselit emërohet zv.drejtor në KEK

Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, është zgjedhur zëvendësdrejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në maj të këtij viti.

Zgjedhja e tij në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në bazë të interpretimit për këtë ligj që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkë-qeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.

Zgjedhja e Nysret Kelmendit në postin e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht neni 21 dhe nenin 17.

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.Zgjedhja e Kelmendit në pozitën e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me interpretimin e ligjit të Ndërmarrjeve Publike që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit ekonomik për rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor menaxhues të KEK-ut. Duke u thirrur në këtë interpretim, Bordi i KEK-ut e kishte eliminuar nga gara Blerand Stavilecin, ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit.

Kandidati i PDK-së, Nysret Kelmendi bashkë me kreun e partisë, Kadri Veseli, në fushatë në Obiliq – Foto: Facebook

Zgjedhja e ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Obiliqit përbën shkelje të praktikës të vendosur pikërisht nga Bordi i KEK-ut që zyrtarët e lartë të Ndërmarrjeve Publike duhet të jenë të pavarur, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Nysret Kelmendi ka theksuar se ka pasur një të kaluar politike, por që kur ka humbur zgjedhjet për kryetar të Komunës së Obiliqit në fund të vitit 2017, ai është tërhequr nga jeta politike. Po ashtu ka thënë se nuk është më pjesë e PDK-së.Për të arsyetuar zgjedhjen e tij Kelmendi ka bërë një numrim të gabuar të kohës prej se është tërheq nga politika e deri në zgjedhën e tij në krye të KEK-ut.

“Unë kam pas [një të kaluar politike] po e kam pas në vitin 2017, por qe tri vite nuk jam më në asnjë parti politike. Pra prej 2017 nuk jam më politik, nuk kam qenë në ndonjë post politik që me qenë në ndonjë konflikt interesi me pozitën që kam konkurru. Jam largu [prej PDK-së], qe tri vite nuk marr pjesë në asnjë aktivitet politik për shkak se nuk i kam fitu zgjedhjet si kandidat edhe jam tërheqë, më nuk kam marrë pjesë”, është shprehur Kelmendi për Gazetën JnK.

Zgjedhjet lokale janë zhvilluar në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka filluar punën si zëvendësdrejtor i KEK-ut më 2 maj 2019. Sipas kësaj, nga dita e zgjedhjeve ku Kelmendi ishte kandidatë e deri në ditën e zgjedhjes së tij si kryeshef kanë kaluar 18 muaj e një javë. Përvec kësaj, nuk kanë kaluar 36 muaj që kur ai ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit.