AKR kërkon rinumërim të votave

Aleanca Kosova e Re ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor rinumërim të fletëvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës.

AKR e Behgjet Pacollit, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me LDK-në, po dyshojnë se rezultatet brenda kësaj liste janë manipuluar.

“Sipas AKR, procesi zgjedhor në numrin e votave të partive politike ka shkuar në rregull deri në momentin kur ka filluar të numërohen votat për kandidatët për deputet. Shumë informata që kanë arritur nga terreni tregojnë qartë se rezultatet brenda listës janë manipuluar nga Komisionerët e papërgjegjshëm në Qendrat e votimit”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti.

Tutje, nga AKR-ja kanë thënë se kërkesën do ta mbështesin me faktet që “janë mbledhur përmes anëtarëve, e të cilat sipas tyre flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve brenda listës”.

“Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për kandidatët për deputet të mos manipulohet”, bën të ditur AKR-ja në njoftim.