Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

AKR: Do ta votojmë Qeverinë Hoti por do të mbetemi në opozitë

Nga Aleanca Kosova e Re kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e Qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, në koalicion me partitë e tjera.

Këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, Naim Murseli ka thënë për KALLXO.com se megjithkëtë, do ta votojnë Qeverinë e re të vendit.

“Ashtu siç kam deklaruar edhe më parë: AKR vazhdon në opozitë! Nuk do të jetë pjesë e Qeverisë se re. Por siç kemi votuar edhe Qeverinë e tanishme, do të votojmë edhe tjetrën”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Murseli shtoi se partia ka vendosur që qëndrojë në opozitë.

“Mos harroni, ne asnjëherë nuk kemi thënë se do të jemi pjesë e Qeverisë. AKR do të jetë gjithmonë konstruktive dhe përkrahëse e vendimeve të rëndësishme për Kosovën”, shtoi ai.

Ndërkaq, edhe kryetari i AKR-së, njëherësh deputeti i kësaj partie, Behgjet Pacolli ka konfirmuar nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re të kryesuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Pacolli në një intervistë për Ora News në Shqipëri tha se dy votat e AKR-së në Kuvend do të shkojnë për formimin e kësaj Qeverie.

Në këtë intervistë Pacolli ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit.

“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë në 3 muaj, të tregojë një akt pozitiv.Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. Edhe menaxhimin e kësaj pandemie nuk e ka bërë në mënyrën e duhur është duke bërë gabime çdo ditë.Kosova ka nevojë për një ekonomi të mirëfilltë, kemi probleme sociale të mëdha në Kosovë”, është shprehur ai.

AKR-ja në Kuvendin e Kosovës ka dy deputetë, Behgjet Pacollin dhe Mirlinda Sopi-Krasniqi.

Të enjten, presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media ka njoftuar se e ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.

LDK-ja ndërkaq ka kërkuar që të shtunën e kësaj jave të mbahet seanca e Kuvendit për votimin e Qeverisë, përderisa Gjykata Kushtetuse pas ankesës së LVV-së, pritet të dalë me një vendim rreth dekretit të presidentit.