AKP u shpërndan 20 përqindëshin punëtorëve të 12 ndërmarrjeve

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka bërë shpërndarjen e fondeve të njëzet për qindëshit nga çmimi i shitjes të dedikuara për punëtorët e 12 ndërmarrjeve shoqërore (NSh).

Në njoftimin e AKP-së thuhet se pas krijimit të kushteve ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20 për qindëshit, agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për punëtorët e kualifikueshëm të 12 Ndërmarrjeve Shoqërore, ndërsa shuma e fondeve e shpërndarë është 1 milion e 249 mijë e 202 euro.

“Për ndërmarrjen NSH Fabrika e Amortizatorëve është bërë shpërndarje për herë të parë, ndërsa për të tjerat ka pasur dhe shpërndarje në të kaluarën. Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 1844 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20%-it. Bartja e këtyre fondeve është bërë në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime).”, është thënë në njoftimin e AKP-së.

Tutje thuhet se nga shuma e këtyre fondeve të 20 për qindëshit e deri me tani, AKP-ja ka shpërndarë rreth 127 milionë euro, dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 47 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.

“Ndërsa vetëm gjatë vitit 2018/2019 janë shpërndarë rreth 7 milionë euro për punëtorët e kualifikueshëm.”,

Sipas kësaj agjencie, tashmë është në proces edhe shpërndarja e fondeve të 20 për qindëshit edhe për punëtorët e kualifikueshëm për disa Ndërmarrje Shoqërore të tjera.