Foto: Facebook/ AKP

AKP nxjerr në shitje 93 asete

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.54.

Sipas AKP-së kjo është një mundësi e mirë për zgjerimin e biznesit apo iniciativa të reja biznesore në Kosovë.

“Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 93 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Asetet e tenderuara janë aprovuar në Bordin e Drejtorëve, ndërsa AKP-ja i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.54 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë më 19 shkurt 2020, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.

Kurse, sipas njoftimit, hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.