AKP nxjerr në shitje 93 asete përmes likuidimit

Përmes likuidimit, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) do t’i shesë rreth 93 asete.

“Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 93 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

“Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha Komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit ëëë.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike”, tuhet tutje në komunikatën dërguar mediave.

Për detaje rreth aseteve të interesuarit mund t’i gjejnë një listë edhe në ueb faqen e AKP-së, ndërsa ofertat duhet të dorëzohen në objektin e Hotel Grand.

“Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.54 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 19 shkurt 2020, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30”, thuhet në fund të njoftimit.