Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.
AKP ka inkasuar 7.5 milionë euro nga qeratë që nga fillimi i procesit të privatizimit
Kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Nazmi Mikullovci ka raportuar në komisionin për Buxhet, raportin financiar të kësaj agjencie.
Ai ka thënë se raporti i Auditimit ka tri të gjetura për AKP-në, dy të reja dhe një të trashëguar nga viti paraprak.
“Në statistika që ka ZKA, në vitin paraprak AKP ka pas pesë rekomandime që janë impelementu katër. Në do të bëjmë përpjekje me implementu edhe ketë pjesë ndonëse nuk varet vetëm prej AKP-së”, ka thënë ai.
Mikullovci ka thënë se vlera e të hyrave është 7,5 milionë euro nga qiradhënia që nga fillimi i procesit të privatizimit.
Mikullovci tutje ka folur për çështjen e kontratave dhe pagave. “Ne kemi marrë një masë serioze sa i përket kontratave, kanë qenë disa raste kur ka pasur rritje të pagës që nuk janë në rregullore”, ka thënë ai.
Mikullovci është pyetur nga deputetët edhe për asetet që gjenden jashtë Kosovës, dhe ai tha se për këto asete ka pasur përpjekje nga AKP por mungojnë dokumentet.
“Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës është një përpjekje që duhet të bëhet edhe me institucione tjera”, kanë thënë nga AKP.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në rend dite ka pasur edhe shqyrtimin e raportit vjetor financiar të KQZ-së dhe KOSTT, të cilat janë shtyrë për mbledhjen e radhës.
Kryetari i komisionit, Armend Mehaj tha se kjo për shkak se KOSTT ka kërkuar edhe një javë kohë, ndërsa kryesuesi i KQZ ndodhet në një udhëtim zyrtar.