AKP-ja ndërpret punimet në objektin e Administratës së Prizrenit, Komuna kundërshton

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë vendim që të ia ndalojë punimet Komunës së Prizrenit në objektin e administratës.

“Ju njoftojmë që në kuadër të mandatit të AKP-së është edhe NSH “Bankkos”, e cila është në proces të likuidimit që nga data 14. 6. 2014 dhe menaxhohet nga Autoritet i Likuidimit”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit( AKP) kërkon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve.

“Jemi të informuar se komuna e Prizrenit ka nisur punimet në objektin e ‘Bankkosit’. Ju njoftojmë se komuna nuk ka paguar asnjëherë qira e shfrytëzimit, ndërsa tash ka filluar punimet pa pëlqimin e AKP-së. Prandaj, kërkojmë që menjëherë të ndërpriten punimet që janë duke u zhvilluar”, vazhdon më tej njoftimi.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit ka thënë për KALLXO.com se Komuna e Prizrenit ka bërë të gjitha kërkesat për kthimin e këtij objekti në aset komunal, por këto procedura janë vonuar për shkak të telasheve që ka pasur bordi i AKP-së.

“Ne sot jemi njoftuar se AKP ka marrë vendim që punët për realizimin e projektit që kanë të bëjnë me transformimin e administratës të ndalen. Ne si komunë i kemi ndjekur të gjitha procedurat për kthimin e këtij objekti në pronë komunale, kërkesa ka kaluar në bordin e drejtorëve të AKP-së, por këto procedura janë vonuar për shkak të telasheve që ka pasur bordi i AKP-së”, ka thënë Hajdari.

Hajdari ka shtuar se ky objekt është i ndërtuar në pronë të komunës, por nuk është i regjistruar në kadastër.

“Ne kemi bërë kërkesë që të pajisemi me leje për renovim të objektit në kuadër të projektit, por drejtoria e urbanizmit e ka pasur të pamundur lëshimin e kësaj leje për shkak se ky objekt nuk është i regjistruar në kadastër të komunës”, ka shtuar Hajdari.

Projekti “One Stop Shop”
Projekti “One Stop Shop”

Drejtori i Administratës ka shtuar se renovimet për këtë objekt nuk e dëmtojnë konstruksionin në asnjë variant dhe se ky objekt ka pasur edhe renovime në qeverisjet e kaluara në kuadër të projekteve të USAID-it.

Hajdari po ashtu ka thënë se vendimi i AKP-së për ndaljen e punimeve nuk është i drejtë për shkak se edhe në renovimet e kaluara situata ka qenë e njëjtë.

Hajdari ka shtuar se projekti do të vazhdojë dhe nuk do të ndalen punimet për realizimin e këtij projekti.

Ky projekt i Komunës ka për qëllim rregullimin e infrastrukturës për një qendër të vetme të shërbimeve për qytetarët.

Sipas Haskukës, projekti do të mundësojë thjeshtësimin dhe standardizimin e procedurave administrative, digjitalizimin e shërbimeve, krijimin e sistemeve të teknologjisë informative dhe zgjerimin e fushave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për qytetarë.

Planifikohet që punimet të përfundojnë deri në fund të këtij viti, pas të cilave në “Qendrën me një ndalesë” do të ketë rreth 56 sportele ku do të ofrohen shërbime të ndryshme dhe të gjitha në një vend.

Drejtoria e Administratës e komunës ka siguruar një ekip që është angazhuar lidhur me ndërrimin e lokacioneve, dhe kanë krijuar hapësira të veçanta për t’i ofruar shërbimet e zyrës së gjendjes civile.

Qytetarët e Prizrenit këto shërbime mund t’i gjejnë në këto lokacione: Shkolla “Remzi Ademaj”, Objekti i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave, Objekti i Qendrës për Punë sociale dhe Objekti pranë Filigranëve të qytetit.

Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari, ka njoftuar se shërbimet që do të zhvendosen janë të gjitha ato shërbime që tashmë gjenden në katin e parë të objektit të administratës komunale.

Sipas drejtorit Hajdari, zhvendosja e shërbimeve po bëhet detyrimisht për shkak të nevojës për ta liruar hapësirën ku do të zhvillohen punimet e projektit “One Stop Shop”, ndërsa gjatë kësaj periudhe transitore, Komuna do të jetë e përkushtuar që të ofrojë shërbime me efikasitet të njëjtë.

“Në sallën e sporteve të shkollës SHML “Remzi Ademaj” do të zhvendosen: zyra e gjendjes civile (ofiqaria) dhe zyra pritëse. Në objektin e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa (përballë postës) do të zhvendosen: sektori i mbeturinave, taksat rrugore, taksat komunale, tatimi në pronë. Në Qendrën për Punë Sociale do të zhvendosen: Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zyra për Komunitete dhe Kthim.  Në objektin ku gjendet punëtoria e filigranit (ish-Turist Kosova) do të zhvendoset: Drejtoria e Inspektorateve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas komunës, zhvendosja e këtyre shërbimeve do të fillojë me ato tek objekti i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa.

Përveç zhvendosjeve në këto katër lokacione komuna ka paraparë që pranë shkollës “Remzi Ademaj” të vendoset edhe një e-kiosk, i cili është rifunksionalizuar, derisa në dispozicion do të mbetet edhe e-kiosku që gjendet pranë objektit të administratës komunale.

Vendet ku mund t’i pajiseni me dokumentacion në Komunën e Prizrenit

Prizren, renovimi në komunë krijon tollovi, pluhur e bërrllok (FOTO)

.