Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
AKP-ja kishte lëshuar pronë shoqërore me qera me çmim 1 cent për metër katror
Me vetëm 1 cent për metër katror Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishte lëshuar një pronë shoqërore me qera, në Prizren në vitin 2016.
Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka zbuluar se në gusht të vitit 2016 përmes negocimit direkt AKP-ja në Reçan të Prizrenit e kishte dhënë me qera tokën afariste me sipërfaqe prej 54 mijë e 849 metra katror me qera mujore prej 548 euro, apo vetëm 1 cent për metër katror.
Raporti zbulon se procedura e negocimit direkt ishte aplikuar pasi që ky qiramarrës kishte qenë duke e shfrytëzuar në mënyrë ilegale që nga vitit 2005 këtë pronë.
Për më tepër, përcaktimi i çmimit të qerasë ishte bërë më vendim të bordit të AKP-së, i cili ishte bazuar në një rekomandim të dhënë nga komisioni për hulumtimin e çmimit të tregut të qerave.
Tutje, raporti në fjalë theskon se Komisioni më 28 qershor 2016 i kishte rekomanduar bordit të AKP-së çmimin e qerasë prej 100 euro për hektar. Në arsyetimin e Komisionit thuhet se nuk ka pasur të dhëna të disponueshme të çmimit të qerasë për pronat përreth, andaj vlerësimi i çmimit të tregut nga ana e Komisionit, sipas raportit, ishte bërë duke iu referuar Rregullores komunale të Prizrenit, por që nuk ishte specifikuar numrin e rregullores dhe tarifën referente.
Në fakt, sipas raportit, Rregullorja komunale në fuqi në atë kohë theksonte se përdorimi i pronës komunale nga individët për afarizëm i nënshtrohet pagesës së qerasë mujore për: zonën I – 4 euro për metër katror; zonën II – 3 euro për metër katror; dhe zonën III – 2 euro për metër katror.
“Komisioni edhe pse iu kishte referuar rregullores komunale, nuk kishte dhënë asnjë sqarim në raportin e tij se pse është bërë përcaktimi i çmimit prej 0.01€/m2 apo 100€/ha e jo ndonjë tarife refente të rregullores” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Shfrytëzim ilegal i gurit gëlqeror
Edhe pse kontrata e përcaktonte që qeramarrësi pronën do ta shfrytëzonte për afarizëm, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka gjetur se qeramarrësi kishte bërë eksploatim ilegal të gurit gëlqeror.
Edhe pse Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishte pasur njohur që ky qeramarrës ka bërë eksploatimin e gurit, në kontratën e nënshkruar nuk ishte shqyrtuar shfrytëzimi i gurit gëlqeror.
Kur është nënshkruar kontrata, sipas raportit, qeramarrësi ishte pajtuar që për shfrytëzimin ilegal të paguante për 10.5 vite nga tetori 2005 deri në prill 2016, për 0.69 ha të kësaj parcele. Mirëpo, ZKA-ja ka gjetur se kishin shfytëzuar pronën shumë më shumë se sa ishin pajtuar në kontratë.
“Mirëpo sipas ortofotove të siguruara nga geoportali i Agjencionit Kadastral të Kosovës kemi vërejtur se në vitin 2004 ky qiramarrës ka qenë duke i shfrytëzuar 1.11 hektar, në vitin 2009 ka qenë duke i shfrytëzuar 2.40 hektar, në vitin 2012 ka qenë duke i shfrytëzuar 3.4 hektar dhe jo 0.69 hektar ashtu siç është nëshkruar marrëveshja” – thotë raporti.
Raporti bën të ditur se qeramarrësi kishte licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për eksploatim të gurit gëlqeror për periudhat 2005 – 2017 dhe 2016 – 2025, por kjo e fundit ishte pezulluar në shtator 2022 nga KPMM-ja me arsyetimin se qeramarrës nuk e kishte sjellë aneksin e kontratës për vazhdimin e shfrytëzimit të pronës nga AKP-ja.
ZKA-ja ka gjetur se në bazë ta raporteve të siguruara nga KPMM për periudhën 2012 – 2021, qeramarrësi kishte eksploatuar 337 mijë e 765 metër kub gurë gëlqeror, ndërsa AKP-ja për këtë pronë kishte arkëtuar të hyra nga qeraja në vlerë totale prej 4 mijë e 511 euro.
“Prandaj duke pas parasysh eksploatimin e gurit gëlqeror pothuajse është e pa mundur të kthehet në gjendjen fillestare” – thekson raporti.
Në përgjigjen që AKP-ja ia ka kthyer ZKA-së për këtë raport, për këto të gjetura të lartëcekura, janë pajtuar pjesërisht.
Sipas AKP-së, është përdorur për krahasim rregullorja e Komunës së Prizrenit të vitit 2009, çmimin prej 2 euro për metër katror për zonën III, por sipas tyre në vitin 2016 nuk kanë pasur qasje në rregulloren në fjalë dhe AKP është bazuar në tenderin që ka organizuar Komuna e Prizrenit, ku 1 hektarë tokë është lëshuar me qera vjetore prej 30 euro.
“AKP ka lëshuar tokën me qira prej 100 euro për 1 hektar për tokën e klasit VIII. Eksploatimi i Gurit Gëlqeror ka filluar para periudhës të kontraktimit ndërmjet AKP dhe qiramarrësit në vitin 2016. Sipërfaqja e kontraktuar është përcaktuar në bazë të dokumentacionit, në këtë rast licencave nga KPMM sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale” – thuhet në përgjigjen e AKP-së për ZKA-në.
Në një konfernecë për media të mbajtur sot, ZKA-ja ka prezantuar dy Raporte të Auditimit.
Njëri raport është ‘Auditimit i të hyrave nga AKP për periudhën 2012 – 2021’ dhe raporti tjetër është ‘Auditimi i funksionimit të sistemit të grantit të performancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021’.
ZKA: Mbi 800 mijë euro vlera e dëmit nga menaxhimi i pronave shoqërore nga AKP-ja