AKP hap shpalljen për dhënien me qera të rreth 200 pronave

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka hapur shpalljen për dhënien me qera të 196 pronave shoqërore në disa komuna të Kosovës.

Sipas njoftimit të AKP-së, pronat që do të lëshohen me qera janë: në rajonin e Prishtinës 36 prona; në rajonin e Pejës 89 prona; në rajonin e Prizrenit 59 prona; në rajonin e Mitrovicës 4 prona dhe në rajonin e Gjilanit 8 prona.

Po ashtu, sipas AKP-së, në rajonin e Prishtinës janë 18 hapësira që do të lëshohen me qera në Hotelin Grand, që mund të shërbejnë për restorante, hapësira për zyre, hapësira komerciale, që në total janë 400 metra katror.

“Po ashtu, kjo shpallje përfshinë edhe depo dhe objekte administrative në qendër të Prishtinës dhe në Graçanicë, si dhe një depo të derivateve të naftës në Ferizaj. Në rrethinën e Prishtinës ofrohen për qiradhënie edhe disa parcela bujqësore në zonat kadastrale Cagllavicë, Graçanicë, Llapllasellë, Banullë dhe Bardhosh” – thuhet në njoftim.

Dorëzimi dhe hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve për ofertat që do të dorëzohen për këto prona mbahet me datë 4 janar 2023, në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë dhe Prizren, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç, ndërsa zarfet do të hapen 15 minuta pas dorëzimit, pra në orën 12:15.

AKP – ja ka bërë të ditur se ofertat përmes faksit dhe postës elektronike nuk do të pranohen, ndërsa ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur.

Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrën Rajonale respektive apo Zyrën Qendrore të AKP-së, apo të shkarkohet KËTU.

Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi më i lartë i ofruar.