AKP fiton kontestin gjyqësor me kompaninë kroate për padinë 18 milionëshe

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin e Arbitrazhit me kompaninë nga Kroacia, “IMING d.o.o Strobec”.

Pala kroate e kishte paditur AKP-në për kompensim të dëmit dhe fitimit të humbur në vlerë rreth 18 milionë euro në prill të 2019.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte paditur në cilësi të administratorit të ndërmarrjes shoqërore ‘’MIM Goleshi‘’ Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit. Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të UNICITRAL-it të vitit 2010”, ka bërë të ditur AKP-ja.

AKP ka njoftuar se sot Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit ka marrë vendim në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Veç mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, me këtë fitore janë ruajtur edhe fondet publike prej 18,121,690.17 milion Euro. Sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit pala paditëse, për më tepër, obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të Tribunalit t’ia paguaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit shumën prej 342,954.67 mije euro”, thuhet në njoftimin e AKP-së.