AKK tregon se kur do të publikohen deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë në Kosovë

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka deklaruar se ka pranuar një numër të konsiderueshëm të formularëve të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve publik në Kosovë.

Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë të ditur për KALLXO.com, se aktualisht është duke bërë verifikimin e formularëve të deklarimit të pasurisë dhe ta gjitha informatat lidhur me këtë proces do të publikohen në javët në vijim.

Procesi i deklarimit të pasurisë ka zgjatur një muaj, nga 1 marsi deri më 31 mars të këtij viti, sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.

AKK-ja në një përgjigje për KALLXO.com, ka theksuar formularët për deklarimin e  pasurisë janë pranuar në mënyrë elektronike në email-adresa të ndryshëm të AKK-së dhe tani Agjencia ka filluar verifikimin e të gjithë formularëve të pranuar: “Me qëllim të evitimit të lëshimeve të mundshme që mund të ndodhin gjatë procesit të regjistrimit, para se formularët të publikohen”.

“Përveç deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë me ndryshimet që kanë ndodhur në institucionet publike, këtë vit, Agjencia Kundër Korrupsionit, ka pranuar një numër të konsiderueshëm të formularëve të deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës zyrtare si dhe me rastin e përfundimit të detyrës zyrtareve që gjithashtu ka shtuar intensitetin e punës në AKK në raport me deklarimin e pasurisë”, thuhet në përgjigje.

Sipas këtij institucioni, janë rreth 4,886 zyrtarë që kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit.