AKK: Nuk kemi mandat që të rregullojmë çmimet e produkteve apo shërbimeve

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka reaguar në lidhje me ankesat për ngritjen e çmimit të disa produkteve, duke thënë se nuk kanë mandat që të rregullojnë çmimet e produkteve.

Këtë e kanë bërë të ditur AKK përmes një deklarate për media, ku sqaruan edhe rolin kryesor që kanë.

“Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg”, njofton AKK.

AKK njoftoi se mund të reagojnë në ato raste vetëm kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar.

“Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e rritjes së çmimeve, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës përmes kësaj deklarate njoftoi se është duke bërë monitorimin e tregjeve.

“Pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër”, thuhet ndër të tjera.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se me çështjen e rritjeve të çmimeve në Kosovë duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës.

Ndryshe, në Kosovë muajt e fundit ka pasur rritje të lartë të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera.

A do të ketë hetim për rritjen e çmimeve në Kosovë, flet ministri Murati